
Moti i keq ka përfshirë orët e fundit disa rajone të Greqisë, duke sjellë stuhi të fuqishme, erëra të forta dhe reshje intensive shiu që kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme të mëdha.
Sipas mediave greke, qyteza kryesore e ishullit Paros, Nausa, është goditur rëndë nga stuhia. Autoritetet kanë nisur menjëherë operacionet e pastrimit, duke larguar tonelata me baltë dhe inerte të sjella nga uji, si dhe duke rikthyer aksesin në port. Situata problematike është raportuar edhe në ishullin tjetër turistik të Cyclades, Mykonos, ku Shërbimi Meteorologjik Kombëtar ka paralajmëruar për fenomene të tejskajshme dhe u ka dërguar banorëve mesazhe emergjence përmes sistemit 112, duke i këshilluar të kufizojnë lëvizjet.
Për shkak të kushteve ekstreme të motit, Mykonos dhe Paros janë shpallur në gjendje të jashtëzakonshme. Gjithashtu, fenomene të ngjashme priten edhe në ishujt e tjerë të Egjeut Lindor, në periferinë e Thesalisë, si dhe në disa zona të Evias dhe Kretës perëndimore e jugore.
Një video e publikuar nga mediat vendase ka bërë xhiron e rrjeteve sociale, duke treguar një tornado të fuqishme që goditi ishullin Rodos të martën në mesditë, duke shkaktuar dëme në infrastrukturë dhe probleme në fluturimet nga aeroporti lokal. Për shkak të situatës, autoritetet greke kanë vendosur mbylljen e shkollave në disa zona.
Për banorët dhe bizneset e dëmtuara është hapur një platformë për deklarimin e dëmeve, ndërsa ekipet e specializuara kanë nisur regjistrimin dhe vlerësimin e situatës. Shkencëtarët theksojnë se përmbytjet dhe moti ekstrem që po prekin gjithnjë e më shpesh Greqinë lidhen me rritjen e temperaturave globale dhe ngrohjen e ujërave të deteve e oqeaneve.