Doug Ford sulmon Trump për tarifat tregtare: “Ai e quan ‘Dita e Çlirimit’, unë e quaj ‘Dita e Përfundimit’

Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, ka kritikuar ashpër tarifat e reja tregtare të paralajmëruara nga presidenti amerikan Donald Trump, duke paralajmëruar se ato do të dëmtojnë si ekonominë kanadeze, ashtu edhe familjet amerikane.

Në një deklaratë të bërë për mediat si CNN, BBC dhe The Guardian, Ford theksoi se tarifat mbi mallrat kanadeze, veçanërisht në sektorin e ndërtimit dhe automobilistikës, do të kenë pasoja të rënda për të dyja vendet.

“Shumica e lëndëve drusore që importohen nga SHBA për ndërtimin e shtëpive vijnë nga Kanadaja. Kjo do të thotë se tarifat do të rrisin ndjeshëm koston e shtëpive dhe të makinave,”

Ai vuri në dukje se Kanadaja dhe SHBA kanë një shkëmbim të barabartë të makinave, por tarifat do të rrisin çmimin e tyre. “Ne dërgojmë aq makina sa blejmë, por kostoja e një kamioni ose automobili do të rritet ndjeshëm,” theksoi ai

Duke iu referuar mënyrës se si Trump e ka quajtur këtë moment “Dita e Çlirimit”, Ford u përgjigj duke e cilësuar atë si “Dita e Përfundimit”.

“Këto tarifa nuk janë gjë tjetër veçse një taksë mbi qytetarët amerikanë. Presidenti Trump e quan atë ‘Dita e Çlirimit’, unë e quaj ‘Dita e Përfundimit’, sepse shumë njerëz do të pushohen nga puna si rezultat i tyre,

Megjithatë, Ford shpreson që administrata amerikane të rishikojë vendimin dhe të ulet në negociata për të shmangur një përshkallëzim të tensioneve tregtare.

“Unë do të doja t’i kthehesha marrëveshjes origjinale. Ne kishim një marrëveshje të madhe, ai [Trump] tha se ishte marrëveshja më e mirë ndonjëherë. Por tani, duket se nuk është më e tillë,” u shpreh ai për Bloomberg, duke iu referuar Marrëveshjes Shtetet e Bashkuara-Meksikë-Kanada (USMCA).

Ford përfundoi duke apeluar për një bashkëpunim më të ngushtë midis dy vendeve: “Kanadaja dhe SHBA duhet të punojnë si partnerë dhe jo si kundërshtarë.”