
Fatkeqësia e një populli u kthye në pasuri për një grusht zyrtarësh lokalë. Emrat i kemi, faktet po dalin një nga një…
Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar abuzimet me fondet e rindërtimit në Durrës, por një aferë edhe më e madhe ka ndodhur në Pezë, Ndroq dhe Vorë. Klane të njohura për lidhjet e tyre politike kanë ngritur perandori financiare mbi tragjedinë e qytetarëve.
Gjatë vizitës në Durrës, Berisha akuzoi Gjush Dakon dhe Emiriana Sakon për keqpërdorimin e fondeve të rindërtimit, por në Tiranë situata është edhe më skandaloze. Në Pezë, Besmir Kola, ish-administratori i njësisë, është një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve, pavarësisht denoncimeve të shumta të banorëve për tjetërsim pronash.
Si u zhdukën fondet e rindërtimit?
Shtëpitë që duhej të ndërtoheshin për familjet e prekura nga tërmeti përfunduan në emër të kunetërve, vëllezërve dhe klientëve të pushtetit lokal. Vetë Kola është sot pronar i disa pasurive të paluajtshme, makinave luksoze dhe ndërtimeve që nuk justifikohen me asnjë pagë shteti.
Në Ndroq, skema ishte edhe më flagrante. Xhavit Ceka, ish-kapter dhe më pas kryetar njësie, përfshiu të gjithë fisin e tij në skemën e rindërtimit. Ndërsa familjet e pastreha vijojnë të jetojnë në kushte të vështira, individë pa asnjë dëmtim në banesa përfituan ndihma, grante dhe apartamente të reja. Burime nga bashkia konfirmojnë dhënien e mbi 100 lejeve të ndërtimit në toka shtetërore për njerëz të lidhur me Cekën, ndërkohë që institucionet heshtin.
Në Vorë, një tjetër emër i njohur i korrupsionit, Blerim Shera, i njohur si “Mamuthi i Rindërtimit”, ka ndërtuar një rrjet të mirëfilltë zhvatjeje. Toka shtetërore e dhuruar për të prekurit nga tërmeti është përvetësuar nga miqtë e tij. Pasuria e tij përfshin vila në Gjirin e Lalzit, apartamente në Tiranë dhe një flotë makinash luksoze.
Politikanët që heshtin dhe ata që shfrytëzojnë fatkeqësinë
Në këtë skandal nuk mungojnë as figurat politike që përdorin tragjedinë e qytetarëve për të mbledhur vota. Një prej tyre është edhe pastori Toni Gogu, i cili, ndonëse partia e tij është në pushtet, shkon fshat më fshat duke premtuar certifikata pronësie. Pak ditë më parë ai u shfaq në fshatin Arbanë, një zonë e harruar nga shteti, por e kujtuar nga Gogu vetëm për qëllime elektorale.
Ndërsa të pastrehët mbeten në mëshirë të fatit, korrupsioni vazhdon të lulëzojë. Drejtësia ende nuk ka vepruar ndaj këtyre skemave kriminale. Por faktet po dalin një nga një. Tani pritet që dikush të marrë përgjegjësi dhe t’i thërrasë gjërat me emrin e tyre.