Zbulohet korveta italiane që do t’i bashkohet Flotës Detare të Shqipërisë

Zbulohet korveta italiane që do t’i bashkohet Flotës Detare të Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama, gjatë një konference për sektorin e Mbrojtjes, prezantoi projektet ushtarake për të ardhmen, përfshirë rritjen e buxhetit, investimet dhe forcimin e armatës. Një nga zhvillimet kryesore është shtimi i një anijeje të re ushtarake në Flotën Detare të Shqipërisë.

“Flota Detare e Republikës së Shqipërisë do të ketë një super anije së shpejti dhe do të bëhet me tre anije luftarake të reja,” tha kreu i qeverisë.

Cila është anija e re?

Burime zyrtare konfirmojnë se anija në fjalë është një korvetë e klasit ‘Cassiopea’ nga Marina Ushtarake italiane. Dorëzimi i saj pritet të ndodhë në ditët në vijim dhe do të pasohet nga një servis dhe remont i përgjithshëm, për ta mbajtur aktive në shërbim deri në 15 vitet e ardhshme.

Kjo anije patrullimi është e armatosur dhe e pajisur me sisteme të avancuara për mbrojtje dhe mbikëqyrje detare. Armatimi kryesor përfshin një top Oto Melara 76/62 Allargato, të përdorur më parë nga fregatat e klasit Rizzo/Bergamini.

Funksionet dhe dorëzimi

Korveta Cassiopea ka një kuvertë fluturimi dhe hangar, të aftë për akomodimin e një helikopteri. Ajo do të dorëzohet gjatë një ceremonie zyrtare, ku pritet të marrë pjesë ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto.

Dorëzimi do të bëhet nën shoqërinë e krenarisë së Marinës Italiane, ‘Amerigo Vespucci’, një ndër anijet më të njohura të flotës italiane.

Historia e klasit ‘Cassiopea’

Ky klas anijesh përfshin katër njësi patrullimi, të ndërtuara nga Marina Italiane në fund të viteve 1980. Ato u krijuan për patrullime në ujëra të sigurta dhe për të zëvendësuar anijet e vjetra të tipit ‘Albatros’.

Me këtë përforcim të ri, Flota Detare Shqiptare do të ketë kapacitete më të larta për mbikëqyrje detare dhe siguri kombëtare.