Nutricionistja bën deklaratën e fortë: Pas filetove të pulës, salmonela mund të ketë kontaminuar vezët dhe…

Nutricionistja bën deklaratën e fortë: Pas filetove të pulës, salmonela mund të ketë kontaminuar vezët dhe…

Një sasi prej 7.8 tonësh mish pule, e importuar nga Brazili, ka rezultuar e kontaminuar me salmonelë, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë ushqimore. Sasia mbërriti në portin e Durrësit më 11 mars, dhe pas analizave të kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) më 21 mars, u konfirmua prania e këtij bakterit të rrezikshëm në mishin e pulës. AKU njoftoi se ka bllokuar 5.2 tonë mish në magazinat e importuesit, por dyshohet se 2.6 tonë janë shpërndarë tashmë në treg dhe mund të jenë konsumuar nga qytetarët.

Nutricionistja Matina Çobo ka dhënë një informacion të rëndësishëm lidhur me rrezikun nga salmonela. Ajo e përshkruan këtë bakter si një virus të fortë dhe rezistent ndaj temperaturave të larta, i cili mund të gjendet kryesisht tek mishi i pulës, viçit dhe derrit. Çobo thekson gjithashtu se salmonela mund të gjendet edhe tek veza, perimet dhe uji, në rastet kur janë kontaminuar.

“Salmonela është një bakter i shumë rezistueshëm, që nuk prodhon spore apo toksina si bakteret e tjera. Pasi është rezistent, ajo mbijeton gjatë një periudhe të gjatë në kushte të ngjashme me temperaturat normale të trupave të kafshëve, që janë rreth 20-40 gradë. Ky bakter mund të gjendet tek mishi i pulës, viçit dhe derrit, por gjithashtu mund të përhapet edhe tek vezët, bulmetet e kontaminuara dhe, në rast se kalon në ujin e rrjetit, mund të kontaminojë frutat, perimet apo dhe ujin që pimë. Është një bakter i rrezikshëm për shëndetin,” tha nutricionistja Çobo.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve të kenë kujdes në gatimin e mishit dhe në pastrimin e enëve që përdoren për përgatitjen e ushqimeve, për të shmangur çdo mundësi kontaminimi me salmonelën.