“Më 11 prill hapim fushatën” – Berisha thirrje të tijve: Dilni në terren, pala tjetër mashtron

Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur sot në selinë blu drejtuesit politikë të Partisë Demokratike në qarqe dhe kryetarët e degëve, duke dhënë udhëzime të qarta për nisjen e fushatës elektorale.

Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se PD ka një projekt të qartë për qytetarët dhe ka marrë mirëkuptimin dhe vlerësimin e tyre. Ai u bëri thirrje demokratëve të intensifikojnë angazhimin në terren për të siguruar mbështetje.

“Dilni në terren, sepse fitorja buron nga ndërgjegjësimi i qytetarëve. Programi ynë është i realizueshëm, prandaj pala tjetër merret vetëm me mashtrime nga mëngjesi deri në darkë. Detyra juaj e parë është organizimi i takimeve dhe sigurimi i votës”, tha Berisha.

Ai njoftoi gjithashtu se më 11 prill PD do të hapë zyrtarisht fushatën elektorale, duke kërkuar nga strukturat e partisë që të jenë maksimalisht të angazhuara.

“Koha juaj e punës për programin matet me numrin e njerëzve që takoni. Programi duhet të zërë 80% të kohës suaj, sepse vetëm kështu përmbushet misioni ynë”, theksoi ai.

Me këtë thirrje, Berisha sinjalizon një fushatë të intensifikuar nga ana e PD-së, në një garë elektorale që pritet të jetë e fortë.