
Itali: Arrestohen dy shqiptarë për rrëmbim dhe dhunë ndaj një të mituri
Milano, 31 Mars 2025 – Dy shqiptarë, 34 dhe 22 vjeç, janë arrestuar nga policia italiane nën akuzën për rrëmbim dhe plagosje të një të mituri 17-vjeçar.
Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur vitin e kaluar, ndërsa denoncimi u bë nga vetë viktima, i cili raportoi për dhunë fizike dhe rrëmbim.
Hetimet, të mbështetura në dëshmi, pamje nga kamerat e sigurisë dhe përgjime telefonike, zbuluan se i mituri, një student, ishte ndaluar papritur në një rrugë dytësore nga dy shtetasit shqiptarë. Ata e akuzuan atë se kishte dëmtuar një makinë dhe kishte vjedhur një sasi kokaine që ndodhej brenda saj.
Zbulimi i drogës dhe arrestimi
Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej të arrestuarve, karabinierët gjetën 250 gramë kokainë dhe 5,000 euro para të gatshme.
Me urdhër të autoritetit gjyqësor, të dy të dyshuarit janë dërguar në burgun San Vittore në Milano, ku do të përballen me akuzat për rrëmbim, dhunë dhe trafik droge.