
Një ditë para hyrjes në fuqi të tarifave doganore të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump ndaj Bashkimit Evropian, ka ardhur një reagim i ashpër nga Brukseli.
Gjatë një seance plenare në Parlamentin Evropian në Strasburg, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se BE-ja është e gatshme t’i kundërpërgjigjet tarifave të vendosura nga administrata amerikane.
“Evropa nuk e nisi këtë përplasje dhe ne e konsiderojmë atë të gabuar. Por dua të jem e qartë: ne kemi gjithçka që na nevojitet për të mbrojtur qytetarët tanë dhe ekonominë tonë. Bashkimi Evropian ka tregun më të madh të vetëm në botë dhe forcën për të negociuar. Ne do të mbrojmë gjithmonë interesat dhe vlerat tona”, tha Von der Leyen.
Strategjia e BE-së përballë tarifave
Von der Leyen tha se përgjigja e BE-së ndaj politikave tregtare të Trump-it do të mbështetet në tre shtylla kryesore:
1. Negociatat – BE-ja do të kërkojë një zgjidhje përmes dialogut me Uashingtonin.
2. Diversifikimi i marrëdhënieve tregtare – Brukseli do të forcojë lidhjet ekonomike me vende të tjera, përfshirë Kinën.
3. Forcimi i tregut të brendshëm – BE do të rrisë autonominë e saj ekonomike për të reduktuar varësinë nga tregu amerikan.
Ajo paralajmëroi se kjo përplasje nuk është në interesin e askujt dhe do të ndikojë negativisht në ekonomi.
“Tarifat janë taksa mbi qytetarët amerikanë për ushqimet dhe ilaçet e tyre. Ato do të nxisin inflacionin, pikërisht të kundërtën e asaj që duam të arrijmë”, theksoi Von der Leyen.
BE-ja e hapur për negociata, por e gatshme për kundërmasa
Von der Leyen konfirmoi se BE-ja është e hapur për negociata me SHBA-në, por do të veprojë nga një “pozitë e fortë”, duke marrë kundërmasa të forta nëse është e nevojshme.
Nga ana e tij, Donald Trump ka mbrojtur vendimin për tarifat, duke argumentuar se ato janë të nevojshme për të mbrojtur industritë amerikane nga konkurrenca e huaj e pandershme dhe për të rritur të ardhurat e qeverisë federale.
Tensionet mes dy aleatëve tradicionalë pritet të rriten, ndërsa BE-ja përgatitet për një përgjigje të koordinuar ndaj politikave tregtare të Shtëpisë së Bardhë.