
“72 orë përgatitje për luftë” – Ekspertët e sigurisë: Ja çfarë po bën BE dhe çfarë duhet të bëjë Shqipëria
Bashkimi Europian u ka kërkuar qytetarëve të tij që të grumbullojnë ushqime dhe furnizime jetike për të paktën 72 orë, si masë parapërgatitore në rast të një krize të mundshme lufte. Paralajmërimi vjen nga Komisioni Europian, duke ngritur pyetjen: çfarë masash duhet të marrë Shqipëria në këtë situatë?
Eksperti i sigurisë, Faik Basha, e cilëson këtë thirrje si pjesë të një testimi dhe përgatitjeje për opinonin publik dhe institucionet. “Mendoj që thirrjet janë në kuadër të një testimi dhe parapërgatitjeje për qytetarët dhe institucionet, për të qenë gati ndaj çdo lloj situate—qoftë pandemi, tërmet apo një krizë tjetër. Nuk duhet të harrojmë se edhe një konflikt i mundshëm mund të jetë afër dyerve të BE-së. Nuk synohet të krijohet panik, por të kuptojmë rëndësinë e gatishmërisë,” thekson ai.
Sipas Bashës, periudha 72-orëshe është një kohë kyçe për të menaxhuar krizën dhe për të siguruar ndihma nga vendet e tjera të paprekura, në mënyrë që të shpëtohen sa më shumë jetë.
Çfarë duhet të bëjë Shqipëria?
Eksperti i sigurisë sugjeron që institucionet përgjegjëse, duke përfshirë ekipet e emergjencave dhe ushtrinë, të hartojnë një plan strategjik për instruktimin e qytetarëve në raste krizash. Ai gjithashtu përmend shërbimin e detyrueshëm ushtarak si një hap që mund të ndihmojë në përballimin e emergjencave me efikasitet më të lartë dhe kosto më të ulët.
Në këtë kontekst, rikthehet vëmendja edhe te bunkerët e ndërtuar gjatë regjimit komunist, një rrjet mbrojtjeje që dikur përfshinte 174 mijë struktura të shpërndara në të gjithë vendin. Ndonëse shumica e tyre sot janë jashtë funksionit, diskutimi mbi nevojën për hapësira të sigurta në rast emergjence mbetet i hapur.
Përgatitja dhe planifikimi në kohë janë kyçe për të përballuar çdo skenar të mundshëm, duke siguruar mbrojtjen e qytetarëve dhe stabilitetin e vendit.