“TRUMP NA ZGJOI DHE NA BËRI TË MENDOJMË SE…” – ANALIZA E DW: KANADEZËT BASHKOHEN KUNDËR PRESIDENTIT AMERIKAN

Kryeministri i ri i Kanadasë, Mark Carney, deklaroi se marrëdhëniet tradicionale me Shtetet e Bashkuara i përkasin tashmë së kaluarës, duke e cilësuar SHBA-në si një partner të pabesueshëm.

Kur Donald Trump tha se do ta “gëlltiste” Kanadanë si shtetin e 51-të federal, shumë e morën si një shaka të kripur. Por përsëritja e këtij pretendimi solli një valë të paprecedentë solidariteti në Kanada, duke nxitur bojkot të produkteve amerikane dhe anulim të udhëtimeve drejt SHBA-së.

“Bërrylat lart” – Kanadezët kundër politikave të Trump

Nën moton “Bërrylat lart” (Elbow up), kanadezët kanë nisur një reagim të fuqishëm kundër politikave të presidentit amerikan. Në muajin shkurt, numri i kanadezëve që udhëtuan drejt SHBA-së ra me 500 mijë, një shifër që nuk ishte parë që nga pandemia. Gjithashtu, supermarketet kanadeze kanë filluar të promovojnë produktet vendase dhe të heqin nga raftet verërat kaliforniane.

Një qytetare i tha portalit gjerman Tagesschau:

“Kjo na zgjoi ne kanadezët dhe na bëri të mendojmë se çfarë do të thotë të jesh kanadez.”

Carney: Nuk ka kthim prapa

Kryeministri Mark Carney theksoi se epoka e marrëdhënieve të ngushta me SHBA-në ka përfunduar dhe se nuk do të pranojë negociata tregtare me Trump, për sa kohë ai nuk tregon respekt për Kanadanë.

“Marrëdhënia që kishim me SHBA-në, e bazuar në integrimin ekonomik dhe bashkëpunimin ushtarak, ka përfunduar. Nuk mund të mbështetemi më te ata si një partner i besueshëm,” tha Carney në një konferencë për shtyp në Otava.

Ndërkohë, Kanadaja po përgatit masa hakmarrëse kundër tarifave të reja të importit të vendosura nga SHBA për makinat kanadeze.

“Përgjigja jonë ndaj këtyre tarifave të fundit është e qartë: do të luftojmë, do të mbrojmë interesat tona dhe do të ndërtojmë një ekonomi më të pavarur nga SHBA,” përfundoi Carney.

Ky është një moment historik për marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje, duke treguar një kthesë të madhe në politikën kanadeze ndaj SHBA-së së Donald Trump.