Shqiptarët trefishojnë përdorimin e TikTok-ut pas vendimit për bllokim

Shqiptarët trefishojnë përdorimin e TikTok-ut pas vendimit për bllokim

Vendimi i qeverisë për mbylljen e TikTok-ut duket se ka pasur efektin e kundërt, duke nxitur shqiptarët të kalojnë më shumë kohë në këtë platformë.

Trafiku në TikTok rritet ndjeshëm

Brenda vetëm pesë ditëve, numri i përdoruesve të TikTok-ut në Shqipëri është trefishuar, ndërsa shumë prej tyre kanë gjetur mënyra alternative për të hyrë në rrjetin social, kryesisht përmes aplikacioneve VPN.

Eksperti i IT, Tomi Kallaxha, thotë se interesimi për të aksesuar TikTok-un e bllokuar është rritur ndjeshëm:

“Duke qenë se është folur kaq shumë për këto VPN, njerëzit janë shtyrë të shkarkojnë një të tillë për të hyrë në TikTok. Në listën e 10 aplikacioneve më të shkarkuara, gjashtë janë VPN, ndërsa në vendin e dhjetë ndodhet vetë TikTok-u. Vetëm në muajin mars, numri i përdoruesve të rinj është rritur me 60-80 mijë.”

Shqiptarët kërkojnë edhe edukim, futboll dhe seriale

Megjithatë, TikTok-u nuk është e vetmja arsye për rritjen e përdorimit të internetit. Shqiptarët po shfaqin interes edhe për edukimin, sportin, bastet online dhe filmat serialë.

“Një fjalë kyçe shumë specifike dhe interesante është se vajzat po kërkojnë profesionet më të mira në teknologjinë e informacionit. Nga ana tjetër, shqiptarët janë të pushtuar nga futbolli dhe bastet online, si dhe ka një rritje të madhe të shkarkimeve për serialin ‘Adoleshenca’,” – shton Kallaxha.

Ekspertët paralajmërojnë për rreziqet e VPN-ve

Pavarësisht popullaritetit në rritje të VPN-ve, ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i tyre mbart rreziqe të mëdha, pasi të dhënat e përdoruesve mund të hakerohen dhe keqpërdoren.

Por duket se për shumicën e shqiptarëve, argëtimi në TikTok ka më shumë rëndësi sesa privatësia e të dhënave.