SHQIPËRIA ME PAGAT MË TË ULËTA NË RAJON – KATEGORIA MË E MADHE E TË PUNËSUARVE ME 60-95 MIJË LEKË NË MUAJ

Plani trevjeçar i rritjes së pagave në sektorin publik ka ndikuar në strukturën e të punësuarve sipas nivelit të të ardhurave.

Sipas të dhënave të fundit për tremujorin e katërt të vitit 2024, 24.6% e të punësuarve marrin një pagë bruto nga 60.001 deri në 95.000 lekë në muaj, duke e bërë këtë kategorinë më të madhe në tregun e punës.

Nga ana tjetër, numri i të punësuarve me pagë minimale ka rënë ndjeshëm, duke përfaqësuar 14.2% të totalit në fund të 2024, krahasuar me 26% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Një tendencë rritjeje është vërejtur edhe në kategorinë e pagave më të larta. Punonjësit me paga bruto nga 95.001 deri në 120.000 lekë përbëjnë tashmë 12.8% të të punësuarve, krahasuar me 7.7% që ishin në 2023. Ndërkohë, ata me paga mbi 120 mijë lekë përbëjnë 14.1% të punësuarve, nga 10.7% një vit më parë.

Diferenca mes sektorit publik dhe privat

Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë arriti në 83.401 lekë gjatë tremujorit të katërt të 2024, duke shënuar një rritje prej 11.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në sektorin publik, paga mesatare bruto arriti në 100.4 mijë lekë, me një rritje vjetore 14.3%, ndërsa në sektorin privat u regjistrua në 76 mijë lekë, me një rritje 9.5%. Diferenca mes pagave në sektorin shtetëror dhe atij privat është thelluar më tej.

Shqipëria ende me pagat më të ulëta në rajon

Pavarësisht rritjeve të fundit, Shqipëria vazhdon të ketë nivelin më të ulët të pagave në rajon. Kryeministri ka paralajmëruar se në fillim të vitit 2026, paga minimale do të arrijë në 500 euro nga 400 që është aktualisht.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se rritja e pagave pa një rritje të dukshme të produktivitetit mund të kthehet në bumerang, duke rritur kostot e prodhimit dhe duke ulur konkurrencën e produkteve shqiptare në tregun ndërkombëtar. Një shembull i kësaj është industria e përpunimit, ku pas rritjes së pagës minimale në 40 mijë lekë në 2023, shumë biznese të tekstilit dhe këpucëve u zhvendosën në vende të tjera për shkak të kostove të larta të prodhimit.

Ndërkohë, Shqipëria vijon të mbetet në fund të listës për nivelin e pagave në Ballkan dhe Europë.