
Deficiti i llogarisë korrente u përkeqësua ndjeshëm gjatë vitit 2024, duke arritur në 607 milionë euro, një rritje prej 157% krahasuar me 2023, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Kjo përkeqësim vjen si rezultat i një bilanci negativ: nga Shqipëria dolën rreth 5.6 miliardë euro, kryesisht për blerjen e produkteve të importit, ndërsa hyrjet e valutës nga eksportet, remitancat, turizmi dhe të ardhurat nga puna jashtë vendit arritën rreth 5 miliardë euro. Për krahasim, në vitin 2023, deficiti ishte 263 milionë euro.
Tregtia e mallrave thellon deficitin
Rritja e deficitit të llogarisë korrente është ndikuar kryesisht nga tregtia e mallrave. Deficiti tregtar arriti në pothuajse 5.6 miliardë euro, një rritje prej 23% krahasuar me vitin e kaluar.
Ndërkohë, bilanci tregtar në shërbime u përmirësua, por jo mjaftueshëm për të kompensuar këtë mungesë. Llogaria e jashtme në shërbime rezultoi me një suficit prej 3.9 miliardë eurosh, në rritje me 15%. Pjesën më të madhe të këtij suficiti e mbuloi turizmi, i cili solli të ardhura neto prej 2.3 miliardë eurosh, një rritje prej 25% krahasuar me vitin 2023.
Fasoneria në rënie, remitancat rriten
Në të kundërt, sektori fason pësoi një goditje, me të ardhurat neto që ranë në 662 milionë euro, një tkurrje prej 14% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo është rënia e parë e të ardhurave nga fasoneria që prej vitit 2013 (përjashtuar vitin pandemik 2020), dhe një ndër faktorët kryesorë është mbiçmimi i lekut kundrejt euros, i cili e ka bërë më të shtrenjtë prodhimin në Shqipëri.
Nga ana tjetër, remitancat shënuan rritje. Gjatë vitit 2024, emigrantët dërguan në Shqipëri 1.045 miliardë euro, një rritje prej 12.5%. Sipas ekspertëve, valët e reja të emigrimit dhe inflacioni i lartë kanë nxitur këtë rritje, pasi familjet e varura nga remitancat kanë pasur nevojë për më shumë para për të ruajtur fuqinë blerëse.
Euro në rënie pavarësisht ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë
Edhe pse bilanci i llogarisë korrente u përkeqësua, kursi i këmbimit Euro-Lek vazhdoi rënien. Në vitin 2024, një euro u këmbye mesatarisht me 100.7 lekë, duke rënë me 7.4% nga viti i kaluar, kur ishte 108.7 lekë.
Banka e Shqipërisë ndërhyri fuqishëm në tregun valutor, duke blerë 933 milionë euro gjatë vitit 2024 – një nivel rekord, 249% më i lartë se një vit më parë. Megjithatë, edhe këto blerje nuk arritën të ndalonin rënien e monedhës europiane.
Investimet e huaja, shpëtimi i ekonomisë
Përkundër përkeqësimit të deficitit në llogarinë korrente, flukset hyrëse nga investimet e huaja direkte vazhduan të mbështesin ekonominë. Gjatë vitit 2024, investimet e huaja arritën në 1.58 miliardë euro, një rritje prej 5.6% krahasuar me vitin e kaluar.
Pavarësisht ndërhyrjeve dhe flukseve të huaja, sfidat ekonomike mbeten të mëdha, ndërsa rënia e euros dhe kostot e larta të importit mund të sjellin ndikime afatgjata në ekonominë shqiptare.