Berisha akuzon qeverinë: “Kamionët me dru nga Elbasani në Kolonjë mbajnë targën ‘Taulant Balla’”

Berisha akuzon qeverinë: “Kamionët me dru nga Elbasani në Kolonjë mbajnë targën ‘Taulant Balla’”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë prezantimit të programit të PD-së, hodhi akuza të forta ndaj qeverisë, duke e lidhur emrin e ministrit të Brendshëm Taulant Balla me dëmtimin e mjedisit dhe shkatërrimin e pyjeve.

Berisha: “Po bëhen milionerë me shkatërrimin masiv të pyjeve”

Sipas ish-kryeministrit, prerja e paligjshme e pyjeve është kthyer në një fenomen të përhapur, veçanërisht në zonat e Elbasanit, Librazhdit dhe Kolonjës.

“Sot dihet, po të shkosh nga Elbasani deri në Kolonjë, shikon kamionët me dru, të cilët kanë ‘targën Taulant Balla’. A janë të gjitha të tij apo jo, nuk e di, por atij i del emri, si në Kolonjë, ashtu edhe në Librazhd. Këta po bëhen milionerë me shkatërrimin masiv të pyjeve”, – deklaroi Berisha.

Ai shtoi se dëmi mjedisor është i madh dhe me pasoja të rënda, por zgjidhja, sipas tij, qëndron në investime serioze për mbrojtjen e mjedisit, pyjeve, kullotave, ujërave dhe ajrit.

Programi i PD: Investime për rikuperimin e mjedisit

Berisha theksoi se Partia Demokratike synon vendosjen e standardeve më të mira evropiane në mbrojtjen e mjedisit.

“Programi ynë synon një mjedis të shëndetshëm, të pastër dhe të zhvilluar. Prioritet do të jetë rikthimi i infrastrukturës së mbrojtjes së pyjeve dhe kullotave, e cila është shkatërruar plotësisht. Gjithashtu, pyllëzimi do të jetë një drejtim qendror, duke u kombinuar me mbjelljen e drurëve frutorë dhe nativë në zonat përkatëse”, – tha Berisha.

Sipas tij, rindërtimi i institucioneve që mbrojnë pyjet dhe mjedisin do të jetë një nga angazhimet kryesore të PD-së nëse vjen në pushtet.