“ADMINISTRATA ËSHTË ZERO, PËR NJË CERTIFIKATË…” – QYTETARJA DEBATON ME RAMËN NË ATHINË: KUSH MË SIGURON QË KY DO TË JETË PREMTIM I REALIZUAR?

 

Gjatë takimit me shqiptarët në Athinë, kryeministri Edi Rama u përball me kritika nga një qytetare, e cila shprehu pakënaqësinë për shërbimet e administratës në Shqipëri.

Ajo u ankua për mosmarrjen e certifikatës së pronësisë, duke ngritur dyshime nëse premtimet e qeverisë për përmirësimin e administratës do të realizohen.

Qytetarja: “Jeni figurë shumë e shquar për shqiptarët dhe për Shqipërinë, por ka ende mangësi të mëdha në administratë. Unë dhe shumë të tjerë nuk kemi marrë ende certifikatën e tokës. Kush më siguron që ky do të jetë një premtim i realizuar dhe unë mund të vij për të investuar në Shqipëri?”

Rama, duke iu përgjigjur shqetësimit të saj, tha se problemet ekzistojnë ende, por situata është përmirësuar ndjeshëm.

“Po të mos kishte probleme, për çfarë do vija unë këtu dhe për çfarë do të kërkoja një mandat tjetër? Ka ende shumë për të bërë dhe nuk mund t’ia lëmë në dorë atyre që shesin qilima. Po punoj për mandatin e katërt, por edhe për të kaluar stafetën tek gjenerata e re. Sot, mund të marrësh 95% të shërbimeve nga kudo që je, përfshirë Greqinë dhe Australinë, përmes e-Albania. Nuk ka nevojë të vish në Shqipëri apo të takosh administratën,” u shpreh Rama.

Debati mes qytetares dhe kryeministrit vijoi, me qytetaren që këmbënguli se administrata mbetet problematike.

Rama: “E vërteta duhet vënë aty ku është. Nuk them që administrata është perfekte, por nuk mund të thuash që është zero. Ju jetoni në Greqi, mos më thoni që këtu gjithçka është perfekte.”

Ndërkohë, një tjetër qytetar kërkoi të ndërhynte në debat, por Rama e ndërpreu me tone të qeta:

“Duro mo, do vij edhe aty, s’të fal fare!” – përfundoi ai, duke vijuar takimin me bashkëatdhetarët në Athinë.