
Një limuzinë luksoze, pjesë e ‘flotës’ personale të presidentit rus Vladimir Putin, ka shpërthyer në flakë pranë selisë së Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) në Moskë, në lagjen Lubyanka.
Sipas mediave ndërkombëtare, ende nuk dihet se kush ndodhej brenda automjetit në momentin e incidentit. Limuzina e tipit Aurus Senat, me një vlerë rreth 329 mijë euro, është përfshirë nga flakët në rrethana të paqarta, ndërsa raportet paraprake lënë të kuptohet se mund të bëhet fjalë për një tentativë atentati.
Autoritetet ruse nuk kanë dhënë ende informacion zyrtar për shkakun e shpërthimit apo identitetin e personave të përfshirë në ngjarje. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar.
Ngjarja ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë në zemër të kryeqytetit rus, sidomos për faktin se ndodhi pranë një prej godinave më të rëndësishme të shërbimeve sekrete ruse.