CNN: Europa po zgjohet nga gjumi ushtarak pas “Trump shock”

CNN: Europa po zgjohet nga gjumi ushtarak pas “Trump shock”

Europa ‘PATETIKE’ më në fund mund të jetë duke u zgjuar nga gjumi i saj ushtarak, shkruan CNN.
Ishte një pritë e transmetuar drejtpërdrejt në televizion, për të cilën shumë në Europë shpresojnë se do ta ndalë një luftë.
Qortimi publik që Donald Trump ia bëri presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë ishte si një rrufe për aleancën transatlantike, duke shpërndarë iluzionet e mbetura në Europë mbi atë nëse SHBA do të qëndrojë në krah të saj përballë agresionit rus.
E tronditur dhe ndoshta edhe e frikësuar, Europa më në fund mund të ketë ardhur në vete për nevojat e saj të mbrojtjes në epokën e Trumpit.
“Është sikur Roosevelti ta kishte mirëpritur Churchillin në Shtëpinë e Bardhë dhe të fillonte ta bullizonte”, tha eurodeputeti Raphaël Glucksmann për CNN, përcjell Gazeta Express.
Në një muaj kur Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e quajti Europën “PATETIKE” gjatë një bisede me zyrtarë të administratës (në të cilën aksidentalisht ishte përfshirë edhe një gazetar i The Atlantic), kontinenti ka filluar të thyejë tabu dhjetëra vjeçare në çështjet e mbrojtjes. Po diskutohen politika që deri para pak javësh do të ishin të paimagjinueshme.
Ndryshimi më i madh ka ardhur nga Gjermania, ekonomia më e madhe e Europës. Pas zgjedhjeve federale, kancelari në pritje, Friedrich Merz, fitoi një votim në parlament për ta hequr “frenimin e borxhit” nga kushtetuta gjermane – një mekanizëm që kufizonte huamarrjen e qeverisë.
Në teori, ky ndryshim ligjor lejon shpenzime të pakufizuara për mbrojtjen dhe sigurinë. Ekspertët presin që ky vendim t’i zhbllokojë deri në 600 miliardë euro në Gjermani gjatë dekadës së ardhshme.
“Ky është një ndryshim i madh loje në Europë, sepse Gjermania ishte më e ngadalta – veçanërisht mes vendeve të mëdha – kur bëhej fjalë për mbrojtjen” tha Piotr Buras, një anëtar i lartë në Këshillin Europian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), për CNN.
Duke kapërcyer fobinë e saj ndaj borxhit, Buras tha se Gjermania më në fund ka vepruar sikur Europa vërtetë ka kaluar një “Zeitenwende” – ose “pikë kthese”, siç e përshkroi ish-kancelari Olaf Scholz në shkurt të 2022-ës, vetëm tri ditë pasi Rusia nisi luftën në Ukrainë.
Megjithëse pushtimi e tronditi Gjermaninë, “vetëm shock-u Trump i bëri ata ta marrin këtë vendim vërtetë themelor për ta pezulluar frenimin e borxhit”, tha Buras.
“Ky është Zeitenwende i vërtetë”.