RAMA PËR SPAK-UN: ËSHTË NJË MOMENT KTHESE HISTORIKE QË DUHET TË VAZHDOJË

RAMA PËR SPAK-UN: ËSHTË NJË MOMENT KTHESE HISTORIKE QË DUHET TË VAZHDOJË

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi në Shkodër, u bëri thirrje qytetarëve të votojnë Partinë Socialiste, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të reformës në drejtësi.

Duke komentuar arrestimet e anëtarëve apo ish-anëtarëve të PS, Rama pranoi se është e vështirë të shohësh dikë që sot është pjesë e politikës dhe nesër përballet me drejtësinë, por e cilësoi këtë si një moment historik që duhet të vazhdojë dhe të mbështetet.

“Nuk të vjen mirë që dikush që është këtu sot, nesër e sheh para gjykatës, por kjo është një kthesë historike që duhet të vazhdojë. Edhe drejtësia e re ka lajthitje dhe gabime, por PS duhet ta mbështesë,” tha ai.

Rama foli edhe për kreun e SPAK, Altin Dumani, duke theksuar se më parë askush nuk kishte dëgjuar për të apo për ndonjë prokuror që dërgonte ministra në gjykatë. Ai kujtoi se reforma në drejtësi ishte një betejë e gjatë e PS-së, pavarësisht kundërshtimeve nga opozita.

“Në 11 maj ata thonë se do fitojnë dhe në 12 maj do shkrijnë SPAK-un. Po si do e shkrijnë? Me Ndoc Rrokun?”, ironizoi Rama, duke iu referuar kundërshtarëve të tij politikë.

Kryeministri theksoi se drejtësia e pavarur është kusht për anëtarësimin në BE dhe se, pavarësisht vështirësive, Shqipëria duhet të vazhdojë në këtë rrugë.

“Njeriut nuk i vjen mirë të shohë dikë që sot është këtu e nesër del para gjykatës, por duhet të jemi krenarë që më në fund kemi një drejtësi që funksionon dhe ku barazia para ligjit nuk është më thjesht një slogan,” përfundoi ai.