Protestë në Tragjas kundër projektit të ujësjellësit për resortet në Dhërmi

Banorët e fshatit Tragjas në Vlorë, së bashku me bashkëfshatarë të ardhur nga diaspora, kanë zhvilluar një tjetër protestë kundër projektit për marrjen e burimeve ujore të fshatit me qëllim furnizimin e resorteve në Dhërmi.

Ata i kanë bërë thirrje Bashkisë dhe qeverisë që të rishikojnë projektin, duke paralajmëruar se nëse nuk merren masa, protestat do të vijojnë dhe do të përshkallëzohen.

Banorët janë mbledhur në qendër të fshatit për të kundërshtuar projektin, i cili synon furnizimin me ujë të pijshëm të disa fshatrave të Bashkisë së Himarës. Protestës i janë bashkuar edhe qytetarë nga diaspora, të ardhur nga vende si Strasburgu, Çikago, Greqia dhe Italia, të cilët kërkojnë anulimin e menjëhershëm të projektit.

Sipas tyre, burimet ujore të Izvorit nuk mjaftojnë as për banorët e Tragjasit, Radhimës dhe Orikumit, ndaj është e papranueshme që ato të përdoren për furnizimin e resorteve turistike në Himarë.

Avokatja Suela Konxhioni, e cila po ndjek ligjërisht rastin, ka deklaruar se do të ngrihet një padi ndaj institucioneve që kanë firmosur lejen për realizimin e projektit, duke argumentuar se janë kryer shkelje të rënda ligjore.

Banorët e Tragjasit kanë bërë të ditur se nuk do të tërhiqen dhe janë të vendosur ta çojnë çështjen deri në fund, madje duke kërkuar edhe një takim me kryeministrin Edi Rama.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*