
Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Ilir Nukajn, të akuzuarin për vrasjen e 80-vjeçarit Namik Rustemi dhe plagosjen e bashkëshortes së tij. Ngjarja e rëndë ndodhi më 12 tetor 2024 në fshatin Povelçë të Fierit dhe dyshohet se erdhi për motive banale.
Sipas hetimeve, Ilir Nukaj, i njohur edhe me emrin Ledjan, kishte shkuar në dyqanin e të moshuarit dhe kishte kërkuar birra, por u refuzua nga 80-vjeçari. Në atë moment, ai ka ushtruar dhunë mbi çiftin e moshuar, duke shkaktuar vdekjen e burrit dhe plagosjen e gruas së tij.
Prokuroria ka ngritur ndaj të pandehurit akuzat për “Plagosje e rëndë me dashje me pasojë vdekjen” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”. Nukaj u arrestua një ditë pas krimit dhe aktualisht ndodhet në paraburgim.
Ky nuk është rasti i parë kur Ilir Nukaj përfshihet në ngjarje të rënda kriminale. Ai ka qenë më parë i dënuar me 10 vite burg për tentativë vrasjeje. Më 2 qershor 2012, ai tentoi të vidhte një biznes në pronësi të shtetasit H. Çela, por u kap në flagrancë nga pronari dhe i ati i tij. Gjatë konfrontimit, pavarësisht se ishte i armatosur me thikë, Nukaj u neutralizua dhe u arrestua nga policia.
Vetëm pak ditë pas kësaj ngjarjeje, ai është konfliktuar sërish me pronarin që kishte tentuar të vidhte, duke e goditur me thikë katër herë në kurriz dhe sup. Për këtë krim u arrestua dhe u dënua nga drejtësia shqiptare.
Në vitin 2020, Ilir Nukaj ishte gjithashtu subjekt i Operacionit Forca e Ligjit (OFL), ndërsa vite më parë kishte jetuar jashtë Shqipërisë.
Ngjarja në Povelçë ka shkaktuar tronditje në komunitetin lokal, ndërsa familjarët e viktimës kërkojnë drejtësi të plotë për këtë krim të rëndë.
Leave a Reply